Paralajmërim i fatit të njerëzve të Nehravanit
Ju paralajmëroj se, kur të ngrihet dielli tjetër do t’i shohë trupat e të gjithë juve mbytur në gjak dhe të shtrirë te kthesa e këtij lumi e mbi digën e kësaj ultësire, pa asnjë shfajësim të qartë para Zotit e as ndonjë shpjegim të besueshëm.
Përgjegjësia për vdekjen tuaj do jetë vetëm juaja, sepse u nisët nga shtëpitë dhe përfunduat duke futur hundët në punët e Zotit. E dini fare mirë se unë ju këshillova kundër këtij Arbitrimi, po ju e hodhët poshtë këshillën time sikur të ishit armiqtë dhe kundërshtarët e mi, derisa edhe unë i ktheva mendimet andej nga donit ju. Ju jeni thjesht një turmë pa ide e intele kt. Mallkimi i Zotit do të bjerë mbi ju. Unë nuk ju kam prurë asnjë fatkeqësi dhe as jua kam dashur të keqen ndonjëherë.
__________
(Historia e betejës së Nehravanit është kjo: Imam Aliu po kthehej në Kufa pas Arbitrimit, kur njerëzit, që kishin ngulur këmbë më shumë për të, filluan ta quanin herezi caktimin si arbitër të njerëzve dhe jo të Zotit. Sipas tyre, Imam Aliu ishte shndërruar në heretik (Zoti na faltë!), përderisa kishte pranuar të tillë Arbitrim.
Në këtë mënyrë, ata keq interpretonin kuptimin e shprehjes, ‘nuk ka autoritet tjetër përveç Zotit’, duke bërë gjithë ç’ishte e mundur, që këto mendime të tyre të zinin vend dhe tek muslimanët e thjeshtë. Pas kësaj, ata u ndanë nga Imam Aliu dhe e ngritën kampin e tyre në Harura, pranë Kufas. Kur mori vesh për rebelimin e tyre, Imam Aliu dërgoi për të biseduar me ta Sasaa bin Sehwan, Ziad bin Nazr Harithin e Ibn Abbasin, pastaj shkoi edhe vetë dhe ia doli që t’i shpërndante pas shumë diskutimeve.
Mirëpo ishin po këta njerëz që, me të arritur në Kufa, nisën të hapnin lajme, sikur Imam Aliu e kishte thyer marrëveshjen e Arbitrimit dhe po bëhej gati të fillonte një luftë tjetër kundër sirianëve.
Kur mësoi për këto fjalë, Imam Aliu i përgënjeshtroi, por ata u ngritën në revoltë dhe u ngulën dymbëdhjetë milje larg Bagdadit, në pellgun e një lumi të vogël të quajtur Nehravan. Imam Aliu e përgatiti ushtrinë për të rinisur luftën me Sirinë vetëm pasi dëgjoi vendi min e Arbitrimit. Ai u shkroi harixhitëve se nuk mund ta pranonte vendimin që kishin marrë të dy arbitrat, sepse bazohej në dëshirat e tyre, në vend që të mbështetej tek Kur’ani dhe Sunneti; për pasojë, ai kishte vendosur të luftonte dhe ata duhej t’i bashkoheshin për shkatërrimin e armikut. Por harixhitët i dërguan këtë përgjigje: “Për ne ti je një heretik që nga momenti që u pajtove me Arbitrimin. Po ta pranosh herezinë e të bësh pendesë, ne do ta mendojmë këtë punë një herë dhe do vendosim se çfarë do bëjmë”.
Kjo përgjigje i dha të kuptojë Imam Aliut se mosbindja dhe shmangia e tyre tashmë ishin shndërruar në një problem tepër serioz. Pas kësaj ishte e kotë të ushqeje ndonjë shpresë prej tyre, kështu që vendosi të mos i përfillte. Ai e ngriti kampin e tij në Nakile dhe po bëhej gati për të nisur fushatën kundër Sirisë, kur mori vesh se përkrahësit e tij donin të merreshin në fillim me Nehravanin e pastaj të vazhdonin më tutje për në Siri.
Megjithatë Imam Aliu këmbënguli të marshonin në fillim mbi Sirinë, dhe vetëm pastaj të merreshin me rebelët e Nehravanit. Njerëzit i thanë se kishin vendosur t’u bindeshin të gjitha urdhrave të tij, pavarësisht nga dëshirat e tyre, dhe do t’i shkonin pas kudo që të vendoste ai për të shkuar. Ushtria nuk ishte nisur akoma në marshim, kur filluan të vijnë lajme të reja për mizoritë e harixhitëve.
Ata kishin masakruar governatorin e Nehravanit, Abdullah bin Khababin, va jzën-skllave të tij, që ishte shtatzënë, dhe kishin vrarë tri gra të Beni Tajit si dhe Ummi Sinan Sejjiden. Imam Aliu dërgoi Harith bin Murrahun për t’i verifikuar këto njoftime, po e vranë edhe atë. Kur rebelimi arriti në këtë shkallë, u pa qartë se nuk mund të mos përfillej më, kësh tuqë ushtria u kthye drejt Nehravanit.
Me të arritur atje, Imam Aliu u dërgoi fjalë t’i dorëzo heshin vrasësit e Abdullah bin Khababit dhe të grave të pafajshme, për të shpaguar gjakun e tyre. Ata iu përgjigjën se këto vrasje i kishin bërë bashkarisht e se e gjykonin të ligjshme të derdhnin gjakun e gjithë njerëzve që mbanin anën e tij.
Por edhe pas kësaj Imam Aliu nuk e mori inisiativën e fillimit të luftës. Ai dërgoi Ebu Ejjub el-Ensariun me një mesazh paqeje e ky u foli me zë të lartë: “Ai që vjen nën këtë flamur ose ndahet nga ajo parti e shkon në Kufa ose Madain, do të përfitojë amnisti dhe nuk do të ndëshkohet”. Pas kësaj, Farva bin Naufil Ashxhai tha se nuk e dinte pse ndodhej aty, në luftë me Imam Aliun, kështu që u nda nga rebelët së bashku me pesëqind veta të tjerë.
Në këtë mënyrë filluan të largohen edhe të tjerë, grup pas grupi, madje shumë prej tyre u bashkuan me Imam Aliun. Mbetën vetëm rreth katër mijë vetë, që s’donin kurrsesi të dëgjonin zërin e arsyes e ishin gati të vrisnin ose të vriteshin. Imam Aliu i pengoi njerëzit e tij që të merrnin inisiativën, por harixhitët vunë shigjetat nëpër harqe e i thyen e i flakën poshtë këllëfet e shpatave të tyre. Imam Aliu mbajti një fjalim, me të cilin i paralajmëroi edhe një herë për pasojat e tmerrshme të kësaj lufte.
Por ata ishin aq të ekzaltuar, saqë u hodhën befas mbi forcat e tij. Beteja ishte mjaft e ashpër dhe këmbësorët humbën terren, në fillim, po pastaj u ngulën me aq qëndrueshmëri, saqë sulmet e shigjetave e të heshtave nuk mund t’i shkulnin më nga pozicionet. Rezistenca e harixhitëve nuk zgjati shumë dhe ata u shfarosën thuajse të gjithë. Përveç nëntë vetëve, që morën arratinë, asnjë tjetër nuk mbeti gjallë. Nga ushtria e Imam Aliut ranë martirë vetëm tetë persona. Beteja ndodhi më 9 të Seferit të vitit 38 H.)