Imam Aliu e mbajti këtë ligjëratë kur bëheshin përgatitje për luftë me ShaminI:
Medet! Jam lodhur duke ju qortuar. Mos vallë kjo jetë tokësore është për ju gjithçka, aq sa t’ia zerë vendin edhe tjetrës? Apo turpi është bërë për ju më i pranuar se dinjiteti? Ju ftoj të luftoni armikun, e çakërdisni sytë si kur të ishit në spazmat e vdekjes dhe në kllapinë e çasteve të fundit. S’doni t’i kuptoni fjalët e mia, po jeni strukur në pandjesi; sikur zemrat t’ju ishin marrosur dhe aftësia për gjykim t’ju ish topitur.
Ju e keni humbur përgjithmonë besimin tim. Ju s’jeni për mua as përkrahje, që të mund të mbështetem te ju, as mjeti që shpie në fitore e nder. Shembulli juaj është si i gamileve, që u ka humbur bariu e kur i mbledhin nga njëra anë, hallakaten më krah tjetër. Për Allah, druri juaj s’bën më për të ndezur flakët e xhihadit. Kundër jush thuren intriga e juve s’ju bën përshtypje.
Kufijtë po ju tkurren për ditë, dhe ju as e prishni terezinë. Ata që keni kundër s’i zë as gjumi, po ju harroni se kush janë. Për Atë Zot, kush ia lë punët njëri-tjetrit ka marrë fund. Për Allah, e kam ditur saktë që, sapo të shpërthente lufta e në vatrat tuaja të luhej vallja e vdekjes, ju do ndaheshit nga Aliu si ajo koka e prerë që rrëzohet nga trunguII. Për Allah, kush e lë armikun që ta mposhtë, aq sa t’ia shqitë edhe mishin nga eshtrat, t’ia dërrmojë skeletin e lëkurën t’ia bëjë rripa - rripa, është krejt i pazoti. Zemra në gjoksin e tij troket të rrahurat e të fundit.
Ju mund të bëheni të tillë në se doni. Po unë do ta zhvesh edhe një herë të fun dit shpatën time tehmprehtë të Masharifit, për t’ua çarë më dysh eshtrat e kafkave e për t’ua flakur poshtë krahë e këmbë, në vend që të më ndodhë një gjë e tillë. Pastaj le të bëjë Zoti ç‘të dojë.
O njerëz, unë kam një të drejtë mbi ju dhe ju keni një të drejtë mbi mua. E drejta juaj mbi mua kërkon t’ju jap këshillë, t’jua jap hakun të plotë, t’ju më soj të mos mbeteni të paditur e t’ju udhëzoj si të silleni dhe të dini si të bëni. E drejta ime mbi ju kërkon që të zbatoni detyrimin tuaj të besnikërisë, të keni dëshira dhe qëllime të mira ndaj meje, pavarësisht në jam pranë jush apo mungoj, të jeni të gatishëm kur t’ju thërras dhe të bindeni kur t’ju urdhëroj.