Në këtë ligjëratë Imam Aliu ka treguar gjendjen e vet pas migrimit të Pro fetit të Shenjtë, deri sa u takua përsëri me të
Unë fillova të ndjek rrugën që kishte ndjekur Profeti i Shenjtë e merrja lajme rreth tij deri sa arrita në vendin që quhet el-Arxh.
Shënim i Sejjid Raziut: Shprehja e Imam Aliut ‘fa-Ata-u-Zik-Rahi’ përfaqë son formën më të lartë të elokuencës dhe shprehjes. Ai synon të thotë se i vinin lajme për Profetin e Shenjtë që nga çasti i largimit të tij e deri sa arriti në atë vend. Dhe këtë mesazh ai e jep vetëm me një shprehje të mrekullueshme.
__________
( Profeti i Shenjtë qëndroi në Mekë dhe për trembëdhjetë vjet të tjerë pasi filloi peri udha e Profetësimit. Gjatë kësaj kohe, ai pësoi padrejtësitë më të egra e privacionet më të mëdha. Kurejshët e pafé ia mohuan gjithë burimet e mjeteve të jetesës e nuk lanë rast pa përdorur për t’i krijuar vështirësi, aq sa në fund menduan t’ia merrnin edhe jetën dhe nisën të bënin plane si ta hiqnin qafe. Dyzetë nga njerëzit e tyre më me ndikim u mblodhën në Dar un-Nedwah për ta diskutuar këtë problem e vendosën që nga çdo fis të zgjidhej një person e pastaj ta sulmonin të gjithë së bashku. Në këtë mënyrë, Beni Hashimët nuk do të guxonin të armiqësoheshin me gjithë fiset e puna do mund të mbyllej vetëm duke paguar çmimin e gjakut. Për ta vënë në jetë komplotin, grupi i këtyre njerëzve zuri pusi pranë shtëpisë së Profetit të Shenjtë natën e ditës së parë të Rebi ul-Ewwelit, në mënyrë që ta sulmonin në gjumë në shtratin e tij. Përgatitjet për ta vrarë kishin përfunduar të gjitha, po Zoti e njoftoi Profetin e Tij për të gjitha intrigat e Kureishëve të pafé. Ai e urdhëroi të vinte Aliun për të fjetur në shtratin e tij, kurse vetë të migronte në Medinë. Profeti i Shenjtë thirri Aliun e i tregoi çdo gjë, pastaj i tha: “Ali, ti do të shtrihesh në shtratin tim”. Imam Aliu kërkoi të dinte: “O Profet i Zotit, a do të shpëtohet jeta jote, duke fjetur unë këtu?” Profeti i Shenjtë tha: “Po”. Kur dëgjoi këtë Imam Aliu ra përmbys duke falënderuar e u fut në shtratin e Profetit duke ia ekspozuar veten plotësisht rrezikut, kurse Profeti i Shenjtë u largua nga dera e prasme. Kureishët e pafé ishin në përgjim dhe gati për të sulmuar, por Ebu Lehebi tha: “Nuk është mirë të sulmojmë natën, sepse në shtëpi ka dhe gra e fëmijë. Sulmoni kur të agojë, por hapni sytë gjatë natës, se mos ju ikën gjëkundi.” Dhe kështu tërë atë natë ata nuk i hoqën sytë nga shtrati, deri sa filloi të agonte. Atëhere bënë vjedhurazi përpara. Kur dëgjoi t’i afroheshin, Imam Aliu e hoqi mbulesën nga trupi e u ngrit më këmbë. Kurejshët e panë me sy të çakarritur e nuk po merrnin vesh nëse u bënin sytë, apo ishte vërtet ashtu.
Pasi u siguruan që ishte Aliu, e pyetën: “Ku është Muhammedi?” E Aliu u përgjigj: “Mos ma besuat gjë, që më pyesni për të?” Kësaj ata nuk ditën ç’t’i përgjigjeshin e u nisën për ta ndjekur, po gjurmët e këmbëve të tij i çuan vetëm deri te shpella Saur. Pas saj s’kishte më gjurmë këmbësh, as shenja të fshehjes në shpellë. Atëhere u kthyen prapa të shastisur, kurse Profeti i Shenjtë u drejtua për në Medinë, pasi ndenji dhe tre ditë të tjera në shpellë. Këto tre ditë Imam Aliu qëndroi në Mekë për të kthyer pasuritë që njerëzit ia kishin lënë në besë Profetit të Shenjtë, pastaj u nis dhe ai për Medinë, për t’u bashkuar me Profetin e Shenjtë.
Deri në el-Arxh, që është një vend mes Mekës dhe Medinës, ai merrte rregullisht lajme nga Profeti i Shenjtë. Në këtë mënyrë vijoi marshimin duke e kërkuar gjithë ankth, deri sa e takoi në Kuba, më dymbëdhjetë të Rebi-ul-Evelit, dhe hyri në Medinë së bashku me të.
(et Taberi, et-Tefsir, Vol. 9, f. 148-151 dhe et-Tarikh, Vol. 1, f. 1232-4; Ibn Sa’d, et-Tabakat, Vol. 1, P. 1, f. 153-4; Ibn Hisham, es-Sireh, Vol. 2, f. 124-8; Ibn ul-Athir, Usd ul-ghabeh, Vol. 4, f. 25 dhe Tarikh ul-Kamil, Vol. 2, f. 101-104; Ibn Kethir, et-Tefsir, Vol. 2, f. 302-3 dhe el-Bidaje we’n Nihaje, Vol. 3, f. 180-1; Ibn Ebi’l-Hadid, Sherh, Vol. 13, f. 303-6; es-Sujuti, ed-Durr ul-menthur, Vol. 3, f. 179-180; Alameh Mexhlisi, Bihar ul-anwar, Vol. 19, f. 28-103).