Mbajtur ndërkohë që Imam Aliu i bënte Profetit të Shenjtë larjen funerale dhe e vinte në qefin
O Profet i Shenjtë! Të kam dashur e nderuar më shumë nga sa kam dashur e nderuar tim’ atë e time ‘më! Vdekja jote i dha fund Profetësimit, zbulesave e mesazheve Hyjnore, dhe kjo gjë s’kishte ndodhur pas vdekjes së profetëve të tjerë. Vendi yt në lidhje me ne, Ehl-i Beitin, është aq i veçantë, sa dhembja për ty na bëri t’i harrojmë gjithë humbjet e helmet e tjera. Dhembja për ty u bë dhembje e të gjithëve dhe të gjithë muslimanët janë pikëlluar njësoj prej saj. Po të mos na kishe urdhëruar durim e të mos na e kishe ndaluar vajin, do kishim mbushur një det të tërë me lotët tanë, po as kështu dhembja jonë nuk do mund të lehtësohej dot; helmi ynë s’ka të sosur e ata lot do të kishin qenë fare pak për hidhërimin që ndiejmë për ty. Por vdekja është gjë që s’zhbëhet dot më dhe as ka mundësi të prapset. Ti e di, o Profet i Zotit, që unë të kam dashur e nderuar më shumë se nga sa kam dashur e nderuar tim’ atë e time ‘më. Kujtona tani pranë Zotit dhe kujdesu për ne e mos na harro.