Këshilla për frikën e Zotit dhe një përshkrim i atyre që mbajnë vdekjen para sysh e janë të përkorët në jetë
Vërtet, frika e Zotit është çelës për dyert e udhëzimit, zahiré e botës tjetër, liri nga çdolloj skllavërie e çlirim nga të gjitha llojet e mjerimit. Me ndi-hmën e saj, kërkuesi arrin sukses dhe ai që do siguri, shpëton e gjen mbrojtje. Bëni punë të mira sa mundeni të bëni punë, kërkojeni dobinë me anën e pendesës, faluni që të dëgjoheni e të fitoni paqen e shpirtit, dhe mos ua ndani sytë penave që s’prehen kurrë. Nxitoni drejt veprave të virtyt shme përpara se t’ju mposhtë rrokullima e viteve, lëngata e sëmundjeve dhe kërcënimet e vdekjes. Sepse vdekja do t’u japë fund shpejt apo vonë gëzimeve tuaja, do t’jua prishë kënaqësitë dhe mjediset tuaja të këndshme dhe do t’i shkatërrojë synimet e planet tuaja.
Ajo vjen vjedhurazi, si vizitore e paftuar, kundërshtare e pathyeshme e vrasëse gjakftohtë. Litarët e saj e kanë hedhur tashmë lakun në qafën tuaj, të këqijat e saj ju kanë rrethosur, shigjetat e saj janë lëshuar drejt jush, epërsia e saj mbi ju s’përmbyset dot, presioni i saj ndaj jush është i vazhdueshëm dhe shansi që ju t’i shpëtoni puthjes së saj nuk ekziston.
Shpejt do t’ju gëlltitë muzgu i hijeve të saj, vrazhdësia e sëmundjes së saj, terri i mjerimit të saj, përçarti i dhembjeve të saj, helmi i humbjes prej saj, enigma e gjirit të saj e pëgërja nga puthja e saj. Ju s’e prisnit, andaj do t’ju duket sikur ia behu fare befas, duke fashitur pëshpëritjet që ju thuheshin, duke prishur grupimet e miqësitë tuaja, duke shkatërruar veprat tuaja, duke shkretuar shtëpitë tuaja dhe duke i ngritur pasardhësit tuaj në alarm për të shpërndarë pronën tuaj midis njerëzve të farefisit, shumë nga të cilët s’jua kishin dhënë kurrë dorën e përkrahjes, e mes të afërmve tuaj, që janë vr erosur ngaqë nuk mundën t’ju mbronin, apo edhe të gëzuar e që s’e derdhën një pikë lot për vdekjen tuaj.
Prandaj është në dorën tuaj të përpiqeni, të luftoni, të bëheni gati e të pajiseni nga vendi i zahireve1681. Mos u mashtroni nga kjo botë, ashtu si u mashtruan ata që ikën përpara jush - ata që mëkoheshin me qumështin e saj, që nxirrnin fitim nga mospërfillja e shtirur e saj, e që jetuan aq gjatë, sa i kthyen në të vjetra gjërat e reja të saj. Banesat e tyre u kthyen në varre dhe pasuritë e tyre në trashëgim. Ata s’e dinë se kush u vjen për vizitë në shtëpitë e tyre të reja, as u bëjnë përshtypje lotët që derdhen për ta e as u përgjigjen dot thirrjeve që u vijnë nga bota ku ishin. Prandaj, hapni sytë e ruhuni nga kjo botë, sepse është tradhtare, mashtruese e gënjeshtare, dhe sepse jep atë që merr mbrapsht dhe vesh me rroba e zbulon dac. Kënaqësitë e saj nuk vazhdojnë, mundimet e saj nuk sosin e dallgët e mjerimit të saj nuk dinë të ndalen e të mehen.
Pjesë e po asaj ligjërate për asketët
Ata janë njerëz të kësaj bote, po jo si njerëz të saj, sepse jetojnë në të si të mos ishin pjesë e saj. Ata veprojnë me bindjet që kanë e nxitojnë të bëhen gati për gjërat që druajnë. Ata enden që në të gjallë midis njerëzve të botës tjetër. Ata e shohin rëndësinë që i japin vdekjes së trupit njerëzit e kësaj bote, por për ta ka rëndësi të vërtetë vdekja në të gjallë e zemrave të banorëve të saj.