Për qëndrimin larg padrejtësive e abuzimit dhe gjendjen e mjeruar të Akilit
Për Atë Zot, do pëlqeja më shumë ta kaloja natën mbi gjembat e sada nit, pa qepur sy, e të më merrnin lidhur këmbë e duar në vargonj, duke më shtyrë e pështyrë si të burgosur, sesa t’u dilja përpara Zotit e Profetit të Tij të Shenjtë si dhunues i të drejtave të dikujt dhe si uzurpues i pasurive të tjetërkujt. Ç‘kuptim ka t’i bësh dikujt një të padrejtë, për hir të një trupi që do marrë shumë shpejt rrugën e shkatërrimit e që do mbetet nën dhé për një kohë aq të gjatë?!
Për Allah, kam parë tim vëlla, Akilin, të mbytur në skamje, duke më kërkuar një Sa’a nga pjesa e përbashkët e miellit. Përqark kishte fëmijët e tij me flokë të shpupurisura dhe fytyra të pluhurosura e të vuajtura nga zija e bukës, sikur të ishin ngjyer në indigo. Më erdhi disa herë me radhë, e më kërkonte prapë e prapë. Më në fund e prita, e ai mendoi se do pranoja t’ia shisja besën e t’i futesha rrugës së tij duke braktisur rrugën time. Atëhere vura në flakë një copë hekuri sa u skuq dhe u bë prush, dhe ia afrova te trupi, duke dashur t’i jepja një mësim.
Ai thirri i tmerruar nga dhembja, si ai që mundohet nga një sëmundje e stërzgjatur, sepse gati sa s’po e piqte përvëlia. I thashë: “O Akil, ty të qafshin vajtojcat! Trembesh nga ky zjarr, që e bëri një i vdekshëm vetëm për shaka, dhe mua më shtyn drejt Zjarrit që ka bërë gati Vetë Zoti i Fuqishëm për të dëshmuar zemëratën e Tij!? Ti mund të thërrasësh nga dhembja, kurse unë s’u dashka të rrëqethem nga f lakët e Skëterrës!”
Një ngjarje edhe më e çuditshme se kjo ngjau një natë, kur te ne erdhi dikushI me një enë të mbyllur plot me hoje mjalti. Kjo gjë nuk më pëlqeu, sikur ajo që më solli të kishte qenë pështymë apo e vjellë gjarpri. E pyeta mos ishte shpërblim, zekat apo lëmoshë, sepse këto janë të ndaluara për ne, anëtarët e familjes së Profetit të Shenjtë. Ai tha se kjo nuk ishte as ashtu e as kështu, po vetëm një dhuratë e thjeshtë. Atëhere i thashë: “Mallkimi i Zotit rëntë mbi ty! Paske ardhur të më largosh prej fesë së Zotit? Mos vallë je çmendur, apo je zaptuar nga ndonjë xhind e flet pa kuptuar ç‘thua?” Për Atë Zot, edhe të më jepnin gjithë pasuritë e të shtatë yjeve me çdo gjë që ka nën qiejt e tyre, për të mos iu bindur Zotit qoftë dhe duke i rrëmbyer një kokërr gruri një milingone - këtë s’do ta bëja.
Kjo botë e juaja është për mua më e pavlerë se ai kërcelli që karkaleci mbërthen me nofulla dhe e bren e e grin çikë e nga një çikë. Ç’punë ka Aliu me të mirat kalimtare e kënaqësitë që nuk e kanë jetën të gjatë? Ajo që dua unë është mbrojtja e Zotit, që të mos i rrëshqas urtësisë drejt të këqijave e gabimeve; këtë dua unë ndihmë prej Atij.