Mbajtur pasi recitoi vargun: “As tregtia e as shitblerja s’ua heq mendjen nga kujtimi i Zotit, nga adhurimi i paprerë dhe nga pagimi i taksës për të varfrit; ata i frikësohen ditës kur zemrat e sytë e tyre do dridhen nga ankthi.”
Sigurisht, Zoti i Lavdishëm e ka bërë dritë për zemrat Kujtimin e Tij. Me të ato dëgjojnë, ndonëse ishin shurdhe, me të ato shikojnë, ndonëse ishin të verbra dhe me të nënshtrohen e binden, ndonëse kishin qenë kryeneçe. Në gjithë epokat e kohët pa profetë, ka patur gjithmonë njerëz që Zoti i ka njohur me dije për krijimin dhe i ka mësuar të shikojnë Sekretet e Dritën Hyjnore nëpërmjet meditimit të thellë e këmbëngulës. Kështu, ata u bënë pika orientimi në këtë botë egërsie.
Veshët, sytë dhe zemrat e tyre përherë të zgjuara e të informuara, e ruajnë të gjallë kujtimin e ditëve të Zotit dhe ndi hmojnë që ta ndiejnë edhe të tjerët frikën ndaj Tij. Ata lavdërojnë për udhën e zgjedhur këdo që zgjedh një rrugë të mesme, duke i dhënë lajmin e mirë e të gëzuar të shpëtimit. Ata qortojnë për udhën e zgjedhur këdo që shmanget majtas e djathtas, duke i folur për rrënimin dhe shpagimin. Ata janë fanarë për këto kohë barbare dhe prijnë midis errësirës së dyshimit e ngurrimit në rrugën e duhur.
Këta njerëz i janë përkushtuar Zotit e kujtimit të Tij, sepse i tillë është misioni i tyre në këtë jetë. Prej tij s’i heq dot as tregtia dhe pasuria, dhe as punët e tjera të kësaj bote. Ky është kuptimi dhe përmbajtja e të gjithë jetës së tyre. Ata flasin fjalë e paralajmërime të qarta për veshët e atyre që harruan detyrat ndaj Zotit e njeriut e që kryen gjëra që Zoti i ndaloi të bëheshin; ata u thonë të tjerëve, ashtu si dhe vetvetes, që të bëjnë drejtësi, dhe i ndalin të tjerët, ashtu si dhe vetveten, që të bëjnë gjëra të paligjshme. Duket sikur ata e kanë përfunduar endjen e tyre në këtë botë për në tjetrën dhe sikur kanë parë me sytë e tyre se ç’ndodh atje matanë.
Ata kanë njohje të gjithçkaje të pasvdekjes, sikur të kishin ndenjur vërtet gjatë në të, deri në ringjallje, dhe sikur Dita e Gjyqit të Fundit t’i kishte plotësuar vërtet premtimet e saj për ta. E kështu u tret nga sytë e tyre perdja që i pengon të zakonshmit të shikojnë; dhe ata panë atë që s’e shihnin dot të tjerët, e dëgjuan atë që s’mund ta dëgjonin të vdekshmit e tjerë.
Shikojini me sytë e mendjes, nëse mundeni, tek janë në vendet e tyre të nderuara dhe në pozicionin e tyre të mirënjohur, tek kanë hapur regjistrat e punëve të tyre dhe bëhen gati të japin llogari për gjërat e vogla e të mëdha, që u ishte thënë t’i bënin, e që s’i bënë dot, apo që u ishte thënë t’u rrinin larg, por ato ua prishën mendjen dhe i bënë për vete! Ata e ndien ç’barrë të rëndë të prapësive mbanin në shpinë dhe e kuptuan sa të dobët ishin për ta mbaj tur. Prandaj qajnë me lot të hidhur dhe i flasin njëri-tjetrit gjithmonë të trish-tuar e të përunjur përpara Zotit, të penduar dhe të vetëdijshëm për të metat e tyre. A s’janë edhe për ju drita dhe flamuri, që ju prijnë udhën mes xëqit të te-rrit?
S’ka dyshim që engjëjt do vërtiten përqark tyre dhe paqja do zbresë përmbi ta. Për ta rrijnë hapur dyert e qiellit dhe janë caktuar qysh tani vendet e nderuara, sipas premtimit. Zoti i pëlqeu punët e tyre dhe e miratoi gjendjen e tyre; e ata i përgjërohen tek thithin frymë në ajrin e ndjesës, duke shpal lur hapur nevojën e tyre të përhershme për mirësinë e Tij e nënshtrimin e përjetshëm përpara madhështisë së Tij. Koha aq e gjatë në pikëllim e vuajtje u ka dhënë zemrave të tyre dhembshuri dhe vaji e lotët që derdhën i zbu kuroi sytë e tyre me butësi e përvuajtje. Dhe vazhdojnë të trokasin derë më derë, të përkushtuar ndaj Zotit, duke i kërkuar Atij, bujaria e të Cilit nuk të lë në mjerim, dhe dyert e të Cilit nuk prapësojnë të zhgënjyer asnjë njeri. Prandaj i vini mend vetes për hir të vetes tuaj, sepse për punët e të tjerëve kujdesen vet të tjerët, jo ju.