Imam Aliu recitoi ajetin:
“Gara për teprim ua merr mendtë fare, pastaj vini në varreza.” (Kur’ani, 102:1-2). Pastaj tha: Sa i largët është për ta ky qëllim i tyre, sa e pafatë është puna e tyre e sa shpërfillës janë këta shtegtarë! Ata nuk morën mësim nga gjërat plot mësime, por kërkuan e rrëmuan atje ku s’duhej. Mos vallë duhet mburrur me kufomat e etërve e të numërohen të vdekurit për t’u mburrur me shumësinë e tyre? Apo përpiqen t’u japin jetë trupave pa shpirt dhe t’i gjallërojnë lëvizjet që kanë ngrirë tashmë? A nuk duhen parë si mësim, në radhë të parë, e jo të bëhen shkas për t’u mburrur? Sepse i përshtaten më shumë frymëzimit të përvuajtjes sesa qenies kryelartë. Por ata u dhanë përherë e më shumë pas këtyre gjërave e kështu u futën thellë e më thellë në kotësi e injorancë1658. Po të kishin pyetur për ta shtëpitë e shkatërruara dhe kopshtet e lëna shkretë1659, do duhej të pranonin që gjiri i dheut i kishte pritur si të pafé e të paditur, ashtu si shkonin drejt tij edhe ata vetë. Edhe ju shkelni mbi kafkat e tyre e ngrini ndërtime mbi esh trat e tyre, kullotni ç’kanë lënë ata e banoni shtëpitë që lanë shkretë ata. Vetë ditët që ju mbeten1660 derdhin lot për ju dhe vajtojnë për padijen dhe budallallëkun tuaj. Ata u nisën përpara jush, e arritën destinacionin dhe jua hapën rrugën. Dikur kishin vende të nderuara dhe ishin plot krenari. Disa nga ata ishin mbretër e njerëz të fuqishëm, po tani janë futur të tërë në gropë, në thellësitë e Barzakh-ut1661, aty ku dheu i ka vënë poshtë e majmet me mishin e tyre e dehet me gjakun e tyre. Rrinë shtrirë, pa jetë e të palëvizshëm në zbrazëtirën e varreve, dhe s’i sheh dot njeri në misterin e ekzistencës së tyre. Afrimi i rreziqeve nuk i frikëson dhe pavolia e rrethanave nuk i dëshpëron. S’e vrasin më mendjen për tërmete, as shqetësohen nga afrimi i tufaneve. Ata kanë ikur e s’kthehen më mbrapsht. Janë, por nuk i sheh dot njeri. Dikur ishin të bashkuar, tani janë të ndarë. Dikur ishin miq të njëritjetrit, tani rrinë mënjanë njëri-tjetrit.
Nuk është gjatësia e kohës, as largësia e vendit që i kanë bërë shpërfillës ndaj rrethanave e që i heshtën këto shtëpi. Po kthyen kupën e vdekjes, që ua mbushi gojën me memecllëk, e që e shndërroi dëgjimin në shurdhëri dhe lëvizshmërinë në palëvizshmëri. Duket sikur kanë rënë në një gjumë të thellë e të rëndë. Fqinjësia nuk u jep më dhembshuri për njëri-tjetrin dhe miqësia nuk i bën më të paduruar për takime. Janë këputur lidhjet, në të cilat njohën njëri-tjetrin, dhe janë bërë copë e thërrime marrëdhëniet e dashurive të tyre. Tani secili prej tyre është i vetmuar, ndonëse në grup me të tjerët, dhe gjithsecili është i huaj për tjetrin, edhe pse dikur ishin miq dhe farefis. Ata janë të pavetëdijshëm për mëngjesin pas natës dhe për mbrëmjen pas dritës së diellit. Për taII është bërë e përjetshme nata apo dita, kur u nisën nga kjo botë. Pas saj panë tmerret e botës tjetër, shumë më ngjethëse se ç’druanin, dhe u bënë vetë dëshmitarë që sinjalet e saj kishin qenë shumë më serioze e të dukshme, nga sa kishin menduar. Vendet e premtuara për shpërblim dhe ndëshkim1662 paskeshin qenë me ngjyra shumë më të forta se ç‘mund ta përfytyronte mendja njerëzore. Po të kishin qenë të aftë të flisnin, ata prapë nuk do mund të gjenin fjalë për të treguar ato që kanë parë me sy. Tashmë u janë fshirë gjurmët dhe për ta nuk vijnë më lajme; por sytë që dinë të nxjerrin mësim, i shohin, dhe veshët që i kuptojnë gjërat, i dëgjojnë lemeri dhe trupat e tyre, dikur elegantë, janë shkatërruar e zhgërryer e ngjyer në baltë. “Tani qefinët na janë rreckosur dhe brinjët na vriten pas plisave të dheut. Na ka gëlltitur brendësia e varrit e midis nesh është ngulur ankthi dhe e panjohura. Strehët tona të heshtura janë shembur e rrënuar mbi ne. Ka marrë fund bukuria e trupave tanë. Tiparet tona, që i njihnit dikur aq mirë, tani janë shfytyruar. S’po i duket fundi këtij qendrimi të gjatë në këto vende të huaja, dhe ne s’po gjejmë ende qetësim për dhembjet tona, as shpëtim prej anktheve tona”. Kjo është gjendja e tyre tani, me veshët të shurdhuar e të vulosur nga balta, me sytë të zgavruar nga krimbat e të mbushur me pluhur, me gjuhët, dikur aq shprehëse, tashmë të tretura e të bëra grimca të dheut, me zemrat, dikur të pagjuma e të palodhura, tashmë të ndalura e qetuara në gjokset e tyre, me gjymtyrët që u janë kalbëzyer e denatyruar e që kanë marrë rrugën e zbërthimit e të shpërbërjes, me kurmet që shtrihen të pafuqishme e pa një dorë që t’i ndihmojë apo një zemër që të pikëllohet për ta; e nëse do mundeshit t’i përfytyronit me mendjen tuaj në këtë gjendje apo do mundnit të largonit prej saj perden që i mban fshehur prej jush, do gjenit helm në zemrat e tyre dhe do shihnit pisllëk në sytë e tyre.
I vetmi trishtim i tyre i tanishëm vjen ngaqë nuk munden e s’kanë fuqi që ta ndryshojnë gjendjen e tyre, e kjo brengë s’mund të qetësohet, kurrsesi. Sa shumë ka gëlltitur ky dhé, trupa plot madhështi e prestigj dhe bukuri marramendëse, që gëzonin kënaqësi të shumta e nanuriseshin në nderime, sa ishin në këtë botë; jepeshin pas gëzimeve edhe në momente pikëllimi, se kur i kaplonte mjerimi, kërkonin strehim tek ngushëllimet e kënaqësive dhe dëfrimeve të kësaj jete; qeshnin me botën, por bota i përqeshte për jetën e tyre në harrim. Dhe erdhi koha që ajo i shtypi si të ishin gjemba, ditët ua vyshkën gjallërinë dhe ua shuan energjinë e vdekja nisi t’i shihte në dritën e syrit. Pastaj erdhi pikëllimi, të cilit s’ia dinin dikur as emrin, dhe ia behën sëmundjet në vend të shëndetit që kishin më parë. Atëhere iu kthyen gjërave që mjekët ua bënë pjesë të jetës: Uljes së etheve me kompresa të ftohta dhe mjekimit të të ftohtit me anë të të ngrohtit; por gjërat e ftohta nuk bënë gjë tjetër, veçse e rënduan ethen, e po kështu, gjërat e ngrohta s’bënë gjë tjetër, veçse e rritën të ftohtët. Trupi i tyre nuk mundi të shëndoshej më, sëmundja e tyre u shtua e rëndua, deri sa mjekët u ndien të pafuqishëm. Shërbëtorëve u vinte ndoht prej tyre dhe vetë njerëzit e tyre pështiroseshin kur tregonin për ta, u dredhonin pyetjeve që u bënin për ta e bëheshin nervozë para tyre, duke i nxjerrë rrenat njëri-tjetrit, sa herë që u duhej t’u fshihnin lajme serioze. Di-kush do t’u thoshte,’Gjendja juaj mbetet e pandryshuar’, dhe do t’i nanuriste me shpresa të kota për shërimin e tyre, kurse dikush tjetër do t’u këshillonte kurajo, duke u kujtuar se këtë fatkeqësi e kanë kaluar të gjithë brezat përpara tyre. E kështu, bëhen gati për t’u ndarë nga kjo botë dhe për t’i lënë të dashurit e tyre në këtë gjendje - kur u mbahet fryma në mënyrë të frikshme, humbin vetëdijen dhe gjuha u thahet dhe u ngrin në gojë. Tani do mund t’u përgjigjeshin shumë pyetjeve të rëndësishme, po të mundeshin të shqiptonin fjalë gjuhët dhe buzët e tyre. I dëgjojnë zërat që ua do zemra, po s’mund të reagojnë dot ndaj tyre dhe mbeten ashtu, pa lëvizur, sikur të ishin të shurdhët, qofshin këta zëra të më të mëdhenjve, për të cilët kishin patur gjithmonë nderim, apo të më të rinjve, të përkëdhelurve të tyre të dikurshëm. S’ka dyshim që mundimet e vdekjes janë tepër të frikshme për t’u përshkruar e vlerësuar nga zemrat e njerëzve të kësaj bote.