Imam Aliu kishte shkuar të mësonte për shëndetin e bashkëluftëtarit të tij, Ala’ bin Ziad el-Harithit; kur pa shtëpinë e tij të madhe e të gjerë, tha:
Ç’të nevojitet gjithë kjo shtëpi e bollshme në këtë botë, o Ala’? Një shtëpi e tillë do të të hynte më shumë në punë në botën tjetër. Por, nëse dëshiron që ta marrësh vërtet me vete, atëhere duhet të presësh në të miq, të tregohesh i përfillur me farefisin dhe të shlyesh të gjitha detyrimet që të dalin. Vetëm kështu do mundesh ta gëzosh në jetën e pashtershme. Pastaj Ala’i i tha: “O Prijës i Besimtarëve, dua të bisedoj me ty për tim vëlla, Asim bin Ziadin.” Imam Aliu u interesua: “Si është puna me të?” Ala u përgjigj: “Ka veshur një pallto të leshtë dhe është këputur fare nga bota”. Imam Aliu kërkoi të dërgonin e ta thërrisnin. Kur ai erdhi, Imam Aliu i tha: “O armik i vetes! Pa dyshim, Shejtani të ka çoroditur. Nuk të vjen keq për gruan tënde e për fëmijët e tu? Mos mendon se, po të gëzohen gjëratI që Zoti i ka bërë të ligjshme për njeriun, Ai nuk do të ishte i kënaqur prej tij? Ti je tepër i parëndësishëm për Zotin, që të veprosh në këtë mënyrë!” Ai tha: “O Prijës i Besimtarëve, dhe ti ke veshur rrobë të ashpër dhe ha ushqim të keq”. Atëhere Imam Aliu ia ktheu: “Unë s’jam si ti, mor i mjerë. Zoti e ka bërë të detyrueshme për udhëheqësit e drejtë që ta mbajnë veten në nivelin e njerëzve të thjeshtë, që të varfrit të mos ndihen të turpëruar e të poshtëruar për gjendjen e tyre e të mos i jepen mjerimit të tyre”.