Madhështia e Zotit dhe meritat e Profetit
Lavdi pastë Ai që rri përtej çdo ngjashmërie me krijesat, që tejkalon fjalët e përshkruesve, që i shfaqet kujtdo që sheh mrekullitë e aftësive të Tij, që është i fshehur nga imagjinata e mendimtarëve përmes madhështisë së Lavdisë së Tij, që ka dije pa i fituar, pa i shtuar dhe pa i përftuar nga dikush tjetër, dhe që është rregulluesi i të gjitha gjërave pa menduar dhe pa medituar. Ai është i tillë që terri s’i prish punë e që nuk e ka nevojë dritën e ndriçuesit; nata nuk bie kurrë mbi Të dhe dita nuk i heq e nuk i shton asgjë. Kuptimi e dijet e Tij për gjërat nuk përftohet me anë të syve dhe nuk varet nga marrja e lajmeve.
Pjesë e po asaj ligjërate për Profetin:
Zoti e dërgoi Profetin me dritë dhe i dha përparësinë më të lartë në zgjedhje. Përmes tij, Ai bashkoi të ndarët, nënshtroi të dhunshmit, mposhti vështirësitë dhe sheshoi terrenin e ashpëruar; dhe kështu, ai largoi çoroditjen që kishte kapluar çdo gjë, më të djathtë e më të majtë.