Duke lëvduar Zotin për mirësitë e Tij
Lëvduar qoftë Zoti, që është pranuar pa u parë dhe që krijon pa asnjë mundim. Ai e krijoi qenien me Pushtetin e Tij, Atij i takon përkushtimi i prijësit për meritë të Dinjitetit të Tij. Ai e dëshmon lartësinë e Tij mbi shquarjen e njerëzve përmes bujarisë së Tij. Ai është, që e bëri krijimin e Tij të popullojë botën, Ai nisi te xhindet e njerëzit lajmëtarët e Tij për t’u zbuluar thelbin e saj, për t’i paralajmëruar për dëmet e saj, për t’u dhënë shembuj prej saj, për t’u treguar të metat e saj e për t’u dhënë një tablo të plotë të aspekteve që përmbajnë mësim lidhur me ndryshimet e shëndetit dhe me sëmundjet në këtë botë, me gjërat e saj të ligjshme dhe gjërat e saj të paligjshme, dhe me çdo gjë që Zoti ka bërë për të bindurit e të pabindurit, që janë Parajsa e Skëterra dhe nderi e turpi. E falënderoj Zotin, se Ai e kërkon mirënjohjen e krijesave të Tij. Ai i ka fiksuar masë çdo gjëje, kohë të fundme çdo mase, e ligj të pathyeshëm çdo kohe të fundme.
Pjesë e kësaj ligjërate për madhështinë dhe rëndësinë e Kur’anit të Shenjtë
Kur’ani nxit dhe pengon, hesht dhe flet. Ai është prova e Zotit për krijimin e Tij, me të Ai i kërkon krijimit t’i zotohet se do veprojë sipas tij. Përmes tij Ai ka përsosur rrezatimin e tij e ka lartësuar fenë e Tij. Ai e ftoi Profetin e Shenjtë të largohej nga kjo botë, pasi ai u përcolli njerëzve porositë e Tij udhërrëfyese përmes Kur’anit. E pra, shikojeni Zotin si të Madh, se vet Ai e quan Veten të Madh, sepse nuk ju fsheh asgjë nga Feja e Tij, as ka lënë gjëkafshë jashtë saj e s’e përmend sepse i pëlqen ose jo; Ai ka dërguar për çdo gjë porosi të sakta e të qarta udhërrëfyese, si dhe shenja që përcaktojnë se ç‘gjë është e ndaluar, dhe ç‘gjë është e lejuar. Dhe ato që i pëlqejnë Atij mbeten të njëjta, sido që të vijë koha. E pra, Ai nuk mund të kënaqet me ju për gjëra, që nuk ua pëlqente as atyre para jush, dhe Ai nuk do t’jua pëlqejë juve gjërat që nuk e kënaqnin me ata përpara jush. Ju jeni çuar në rrugën e qartë dhe ju është thënë ajo që u është thënë edhe atyre përpara jush. Zoti është i mjaftë për nevojat tuaja në këtë botë dhe do vetëm që t’ia dini, e ju kërkon t’ia përmendni Emrin.
Paralajmërimi për ndëshkimin në Ditën e Fundit
Ai ju këshillon t’i druheni, dhe këtë e ka bërë pikën më kulmore të vlerësimit prej Tij e të vetmen gjë që kërkon nga krijesat e Tij. Prandaj, ju duhet të keni frikë nga Zoti, sepse Ai është i tillë, që ju duhet të ndjeheni përherë symë-sy me Të, se fati juaj është përherë në zotërimin e Tij dhe se, përmes tij, Ai kontrollon çdo ndryshim të gjendjes suaj. Në qoftë se ju fshihni diçka, ai e di që më parë çfarë i fshihni, e nëse shfaqni gjë, Ai e regjistron si dëshmi. Këtë punë Ai ua ka caktuar rojeve të nderuara engjëllore, që nuk i nënvlerësojnë të mirat dhe nuk i mbivlerësojnë të këqijat. Dijeni se kushdo që ia ka drojën, do ketë prej Tij rrugë për t’u ikur vështirësive dhe dritë për t’i shpëtuar territ; dhe do ta mbajë përherë në gjendjen që do e do t’i japë pranë Vetes një vend të nderuar, në shtëpinë që ka bërë për Vete. Hija e kësaj shtëpie është vetë froni i Tij, drita e saj është rrezëllimi i Tij, vizitorët e saj janë Engjëjt e Tij dhe miqtë e saj janë Profetët e Tij. Prandaj nxitoni drejt vendit të rikthimit dhe përparoni drejt vdekjeve tuaja duke mbledhur zahiré për botën tjetër. Së shpejti shpresat e njerëzve do të priten e vdekja do t’i rrëmbejë e do t’ua mbyllë dyert e pendesës. Po tani jeni ende në vendin, te i cili do kishin dashur të riktheheshin ata që jetuan përpara jush. Kjo botë nuk është për ju shtëpi, po vend kalimi e udhëtimi. Thirrja për të ikur prej saj ju ka ardhur dhe porosia për të siguruar ç’ju duhet sa jeni ende në të, ju është dhënë. Ta dini që zjarrit të Ferrit s’ia del dot lëkura juaj e brishtë. Prandaj, kini mëshirë për veten, sepse kjo botë diç ju ka treguar për dhembjen e mjerimin. Keni parë ndonjëherë si bërtet dikush vetëm se është shpuar nga një gjemb, sepse humbet gjak nga një rrëzim i vogël, apo ngaqë e përvëlon rëra e nxehtë? E si do ta ndiejë ai veten kur të jetë mbi tiganët e Skëterrës e nën peshën mbytëse të gurëve, i vetëm e në shoqëri të djajve e vetëm i përqeshur prej tyre? A e dini? Kur nxehet Maliku me zjarrin, flakët e tij nisin e kërleshen gjithë tërbim me njëra-tjetrën, dhe kur ai e qorton, i kaptojnë edhe vet dyert e Skëterrës!
O ju, të vjetër dhe të mëdhenj, që mosha ju ka thinjur: Si do ta ndjeni veten kur vorbullat e zjarrit t’ju prekin vertebrat e qafës dhe kur manshetat e mëngëve do t’ju ngjiten aq fort pas duarve, sa do marrin me vete gjithë mishin e llërës? Kini frikë nga Zoti, o njerëz, sa jeni mirë me shëndet dhe përpara se t’ju mundë fatkeqësia! Përpiquni ta lironi qafën nga shtërngimi, përpara se t’jua heqin garancinë. Hapini sytë, hollojini barqet tuaja, përdorini gjymtyrët tuaja, harxhojini paratë tuaja, kujdesuni për trupat tuaj dhe futini në punë për të mirën tuaj, e mos u tregoni me to dorështrënguar, se Zoti, i Pastërti dhe i Larti, ka thënë: “Në qoftë se ndihmoni në rrugën e Zotit, edhe Ai do t’ju ndihmojë e do t’i ngulë fort në tokë këmbët tuaja.” (Kur’ani, 47:7).
Dhe Ai ka thënë edhe këtë: “Kush është që do t’i huante Zotit një hua të mirë? Që Ai t’ia dyfishojë e t’i caktojë një shpërblim fisnik.” (Kur’ani, 57:11). Ai nuk jua kërkon mbështetjen për shkak të ndonjë dobësie dhe as ju kërkon hua sepse ka mbetur ngushtë. Por, ndonëse zotëron tërë ushtritë e qiejve e tokës dhe është i fuqishëm e i mençur, Ai e do ndihmën tuaj, e ndo nëse i ka të Tijat gjithë thesaret e qiejve dhe tokës e është i pasur e meriton lavde, Ai ju kërkon hua. Në fakt, Ai ju vë kështu në provë, në bëni a s’bëni punë të mira. Prandaj nxitoni në kryerjen e punëve të mira, që të banoni pranë Tij kur t’ju thërrasë. Ai i ka bërë profetët e Tij miq të fqinjëve të Tij e u sugjeron engjëjve t’i vizitojnë. Ai i ka fisnikëruar veshët e tyre, që në ta të mos arrijë gjëma e flakëve të Ferrit, e u ka dhënë trupave të tyre mbrojtje nga lodhja e rraskapitja. “Kjo është mirësia e Zotit e Ai ia jep kujtdo që do. Zoti është Zoti i Mirësisë së Pashtershme.” (Kur’ani, 57:21). Unë ju them atë që duhet të dëgjoni dhe kërkoj ndihmën e Zotit për veten time dhe për ju. Ai më është i mjaftueshëm, sepse më jep ilaçin më të mirë.