Duke qortuar ata që nuk i bindeshin
Lëvduar qoftë Zoti për çfarëdo lloj gjëje që urdhëron dhe për çfarëdo lloj veprimi që paracakton, përfshirë sprovën time me ju, o njerëz që nuk më bindeni kur ju urdhëroj e nuk më përgjigjeni kur ju bëj thirrje. Kur keni ngé, hyni në debate mendjeholla, po bëheni të squllët sapo flitet për luftë. Shkëmbeni rromuze me njëri-tjetrin kur njerëzit duan një prijës, por hiqeni mënjanë sapo hasni një punë të mundimshme. Si lum armiku juaj! Për çfarë prisni, kur fjala është për t’i ndihmuar vetvetes dhe për të luftuar për të drejtën tuaj? Se s’mbetet gjë tjetër për ju, veç vdekjes ose turpit. Për Atë Zot, kur të më vijë dit’ e vdekjes, që duket se po më vjen vërtet, ajo do t’ju ndajë nga unë. Sa për mua, unë jam më keq tani që jam pranë jush e në shoqërinë tuaj. Zoti le të merret me ju. Nuk paska, pra, fé që t’ju bashkojë apo ndjenjë turpi që t’ju sjellë në vete?! Si ka mundësi që Mu’avia thërret ca njerëz të ulët e barbarë e ata e ndjekin pa patur shpërblim e shpresë për të ardhmen, kurse kur ju thërras unë si vazhdues e mbijetues dinjitozë të Islamit, më ktheni kurrizin dhe kundërshtoni, ndonëse ju jap mbështetjen e shpërblimin e duhur?! Sigurisht, midis nesh nuk ka ndonjë gjë, që unë ta pëlqej e ta pëlqeni dhe ju, e që unë ta urrej e ju të më bashkoheni në urrejtjen time ndaj saj.
Ajo që unë dua më shumë është vdekja, s’ka dyshim. Unë jua kam mësuar Kur’anin, jua kam qartësuar argumentet, ju kam njohur me çdo gjë që s’e keni pasë njohur, dhe ju kam detyruar të lëpinit gjithë ç’keni pështyrë. Bile dhe i verbri do kishte mundur të shihte e kush ishte në gjumë, do ishte zgjuar! Sa i paditur për Zotin është Mu’avia, që i prin, dhe Ibn NabighaI , që i mëson.