Një Beni Esed, bashkëpunëtor i Imam Aliut, pyeti si qëndronte puna që populli e kishte privuar nga pozita e tij, ndonëse e meritonte më shumë nga të gjithë të tjerët. Imam Aliu dha këtë përgjigje:
O vëlla i Beni Esedit. Qingla jote është liruar sepse s’është shtërnguar mirë. Sidoqoftë, ti gëzon afërsi përmes krushqisë, pra ke dhe të drejtën për të më pyetur; dhe meqë më pyete, dëgjomë: Lidhur me padrejtësinë që na është bërë në këtë çështje, ne ishim më të lartët në pikëpamje të origjinës dhe më të afërmit në raportet familjare me të Dërguarin e Allahut; pra, ky ishte një veprim egoist nga ca zemra lakmitare, ndërkohë që ca të tjera s’i kushtuan kësaj pune kujdesin e duhur. Arbitër është Zoti e tek Ai do rikthehemi Ditën e Gjykimit. Të mbyllet kjo punë e të harrohet; gjithsesi, mjaft na prishi gjak e nerva tërë kjo historiI Ejani të shikoni të birin e Ebu Sufianit.
Koha më ka bërë të qesh pasi kisha qarë më parë. S’është për t’u habitur, për Atë Zot! Ajo që i kalon të gjitha çuditë e që e ka mbushur kupën e padrejtësive, është fakti që këta njerëz, pasi u bënë zotër të një vendi të pasur me punët e tyre të ndyra, u përpoqën të shuanin dritën e Zotit nga llampa e Tij dhe të pëgërnin burimin që ushqen liqenin e Tij me ujë të kthjellët, duke futur në të ujëra të molepsura me sëmundje. Po qe se do të largohen mospajtimet e mundimshme midis nesh, unë do t’i marr në rrugën e së vërtetës; përndryshe, “mos të të vijë keq për ta. Zoti e di se ç’janë duke bërë.” (Kur’ani, 35:8).
_____________
(Ky është vargu i një vjershe të poetit të famshëm arab Imran el-Kais. Vargjet e tjera janë: Ik’n e vanë ato devera, kot që bëni për to zhurmë hapni sytë për të tjerat, mos ju zhduken pa lënë gjurmë. Ngjarja në qendër të tyre është kjo: Kur u vra Haxher Kindi, babai i Imran el-Kaisit, ky i fundit vizitoi fise të ndryshme Arabe për të marr hak për babain me ndihmën e tyre. Ndër të tjerë ndaloi edhe tek një Beni Xhediles, por e ndjeu veten të pasigurtë dhe u largua prej tij e shkoi tek Halid bin Sadusi. Ndërkohë një burrë nga Beni Xhedile, i quajtur Baes bin Khuveisi, grabiti disa deve të tij. Imran el-Kaisi iu ankua për këtë gjë strehuesit të tij dhe i kërkoi t’i jepte gamilet e tij femra në vend të deveve që i kishin marrë. Halidi shkoi tek Beni Xhedilet dhe kërkoi t’i kthenin gamilet e mikut të tij, por ata iu përgjigjën që ai nuk ishte as mik, dhe as nën mbrojtjen e tij. Atëhere Halidi u betua që ai ishte miku i tij dhe u tregoi gamilet e tij femra, që i kishte marrë me vete si garanci. Më në fund i premtuan t’ia kthenin, por në vend të kësaj, i grabitën edhe gamilet e tjera. Një version tjetër i ngjarjes thotë se ata ia kthyen devetë Halidit, por ky i mbajti për vete e nuk ia dha Imran el-Kaisit. Kur e mori vesh këtë ngjarje Imran el-Kaisi, bëri disa vjersha, nga të cilat kjo është njëra. Kuptimi i saj është ky: Lërini devetë e grabitura, po le të marrim vesh ç’u bë me gamilet e tjera. Duke recituar këto vargje, Imam Aliu synonte të thoshte: “Tani që ndodhemi në luftë me Mu’avien duhet të merremi me këtë punë dhe ta lëmë mënjanë diskutimin e padrejtësive të shkaktuara nga uzurpatorët e të drejtave të mia. Tashmë ka ikur ajo kohë, prandaj le të merremi me problemet e së tanishmes. Diskutoni ngjarjet e kohës e mos e mundoni veten për gjëra të shkuara.” Imam Aliu u përgjigj në këtë mënyrë, sepse kjo pyetje bëhej kur ishte në zhvillim e sipër beteja e Siffinit dhe lufta bënte kërdinë e gjakderdhja kishte arritur kulmin.)