Lidhur me dërgimin e Profetit Zoti e nisi Profetin me dritë vezullonjëse, argument të qartë, rrugë të hapur e libër udhërrëfyes. Fisi i tij është fisi më i mirë dhe origjina e tij nga më e mira pemë, me degë të zhvilluara mirë e të ngarkuara me fruta të bollshme. Meka ishte vendi ku u lind, po migroi në Medinë, prej nga emri i tij u ngjit lart dhe zëri i tij u dëgjua në të katër anët. Zoti e nisi me argumente të mjaftueshme, arsyetim bindës e lajme ndreqëse. Përmes tij, Zoti zbuloi rrugët që ishin harruar dhe shkatërroi risitë që ishin futur.
Përmes tij, Ai shpjegoi urdhrat e hollësishme. Tani kushdo që pranon një besim tjetër nga Islami, e ka vulosur mjerimin e tij; shkopi ku ai mbështetet e ka marrë të krisurën dhe fati i tij do të jetë në zgrip. Fundi i tij do të jetë hidhërim i pafund e ndëshkim i mundimshëm.
Nxjerrja e mësimeve nga kjo botë Unë besoj në Zotin me besimin që më përul përpara Tij, dhe kërkoj udhëheqjen e Tij për në rrugën që më çon në Parajsën e Tij e vendin e kënaqësive të Tij. Prandaj ju këshilloj, o krijesa të Zotit, të ushtroni frikën nga Zoti e t’i bindeni Atij, sepse kjo çon në shpëtimin e nesërm dhe në çlirimin e përjetshëm. Ai ju paralajmëroi e këtë e bëri me themel. Ai ju bindi dhe këtë e bëri me sukses. Ai jua shpjegoi këtë botë, shkëputjen e saj nga ju, shpërbërjen e saj e paqëndrueshmërinë e saj. Prandaj qëndroni larg joshjeve të saj, sepse shumë pak syresh do t’ju shoqërojnë.
Kjo botë është më e afërta me mospëlqimin e Zotit e më e largëta nga kënaqësia e Tij. Kështu pra, mbyllni sytë, o krijesa të Zotit, e mos i shihni hallet e angazhimet e saj, sepse jeni të sigurtë për ndarjen prej saj dhe për kushtet e paqëndrueshme të saj. Kini frikë prej saj me tërë mend, si ai që lufton për jetë a vdekje kundër helmit të saj, dhe nxirrni mësim nga ç’kini parë në vendet1357 ku janë ata që jetuan para jush, nga shpërbërja e këllqeve e të kyçeve të tyre, nga kalbja e syve dhe veshëve të tyre, nga bjerrja e nderit e prestigjit të tyre dhe nga zhdukja e kënaqësive e pasurive të tyre.
Afërsia me fëmijët e tyre u ndërrua me largësi dhe bashkëshortësia e të martuarve u shkëmbye me ndarje. Ata nuk i mburren më njëri-tjetrit, as u japin fëmijëve ekzistencë, as e takojnë më njëri-tjetrin dhe as jetojnë si gjitonë të njëri-tjetrit. Prandaj kini frikë, o krijesa të Zotit, me frikën e atij që e ka veten nën kontroll, që di t’i vërë pasionet nën fré e që kupton me intelektin e tij. Puna është fare e qartë, flamuri është ngritur dhe rruga është e rrafshët dhe e drejtë.