Mbi gjërat vërtet të rëndësishme të kësaj bote
O krijesa të Zotit! Ju e çdo gjë tjetër që doni nga kjo botë, u përngjani fantazmave që vjen një kohë dhe duhet të zhduken, apo atyre borxhlinjve që e dinë që s’i kthejnë dot borxhet. Jeta është e shkurtër, por regjistrat e punëve tuaja ruhen përjetë. Shumë njerëz raskapiten duke i shkuar kot fuqitë e tyre e shumë të tjerë rropaten duke nxituar drejt humbjes. Është koha kur virtyti bën prapa, e keqja bën përpara dhe Djallit i është sosur durimi e mezi pret që të shohë shkatërrimin e njeriut. Është koha kur armët e tij janë më të fuqishme, kurthet e tij janë më të zakonshme dhe preja e tij është më e lehtë. Pa shikoni: Gjithandej do gjeni ose një njeri të varfër, duke vuajtur mizerjen e vet, ose një njeri të pasur, duke shpërfillur Zotin e të gjitha mirësitë që i dhuroi, ose një koprrac që e rrit pasurinë duke shkelur detyrimet e Zotit, ose njerëz kokëfortë, që i mbyllin veshët para çdo këshille.
“Jemi të Zotit dhe te Ai do rikthehemi.” (Kur’ani, 2:156)
Djallëzia ka pushtuar çdo gjë, si papritur, e nuk ka njeri që ta kundërshtojë dhe ndryshojë gjendjen, as që të ta heqë mendjen prej saj e të të largojë prej saj. A mos vallë shpresoni që me këto cilësi të siguroni qëndrimin në afërsinë e shenjtëruar të Zotit e të trajtoheni si dashurues të besueshëm të Tij? Medet! Zoti s’mashtrohet dot për Parajsën e Tij e mëshira e Tij nuk mund të fitohet, përveçse përmes bindjes. Mallkimin e Zotit paçin ata që i kanë këshillat e mira, por u bëjnë bisht, si dhe ata që ne i largojmë nga e liga, e ata duan vetë të bien pré e saj!