Lidhur me harixhitët dhe pikëpamjet e tyre rreth Arbitrimit
Ne s’quajtëm gjykatës njerëzit, por Kur’anin. Por Kur’ani është vetëm një tufë letrash midis dy kapakëve dhe nuk ka gjuhë për të folur. Ai ka nevojë për një interpretues të tij, dhe këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit. Pasi këta njerëz na ftuan që të caktohej Kur’ani si gjykatës, prej nesh nuk mund të pritej shpërfillje ndaj Librit të Zotit, sepse Zoti thotë: “Në qoftë se nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtohuni për të te Zoti e Profeti.” (Kur’ani, 4:59).
T’i drejtohesh Zotit do të thotë të vendosësh sipas Kur’anit dhe t’i drejtohesh Profetit do të thotë të ndjekësh Sunnetin e tij. Po të gjykohet vërtet sipas Kur’anit, më të ligjshmit midis të gjithë njerëzve për Kalifatin do të jemi ne; dhe nëse gjykohet dhe sipas Sunnetit, më të zgjedhurit ndër ta do të jemi prapë ne. Sa për çështjen, pse iu përgjigjëm me vonesë kërkesës së palës tjetër për gjykim, kjo u bë për t’i dhënë kohë të paditurit që ta gjente vetë të vërtetën. E sa për atë që e njeh tashmë këtë të vërtetë, detyra e tij është t’i qëndrojë vendosmërisht në krah. Me këtë paqe, Zoti u jep njerëzve mundësi që ta kthjellojnë mendjen dhe të mos përfyten e bien në rebelim, si bënin para se ta njihnin të vërtetën. Nuk ka dyshim që njeriu më i mirë përpara Zotit është kush vepron më shumë në pajtim me të drejtën, megjithëse kjo mund t’i shkaktojë vuajtje dhe hidhërim, e jo me të gabuarën, edhe pse kjo mund t’i japë fitime e ta lartësojë në fuqi.
Po ju, si ndodhi që u futët në udhën e gabuar? Ç’gjë ju pruri në këtë gjendje? Bëhuni gati të nisemi kundër atyre që iu shmangën së drejtës e i larguan sytë prej saj, ngaqë u përzien në punë të këqija e nuk pranuan që të ndreqen. Ata i janë larguar Librit dhe i kanë kthyer krahët rrugës së Zotit. Po as ju nuk jeni të denjë për besim, që të mund të mbështetemi te ju, as jeni mbajtës të nderit, që të bashkohemi me ju. Ju s’jeni të zot për të ndezur zjarrin e betejës. Mjerë ju! Një mal të tërë me mundime më duhet të duroj për shkak tuaj. Një ditë do t’ju flasin për xhihad. Atë ditë do t’ju them në mirëbesim se nuk jeni njerëz vërtet të lirë, as vëllezër të besueshëm; e nuk do të jeni të tillë as ndërkohë që do t’ju flas në mirëbesim.