Portal Shiaithna asheri
  • Home
  • Kulme Të Fjalës
  • Kontakt
  • FILLIMI I RRUGËS SË DREJTË

Fjala hyrëse e autorit

 

Falënderimi qoftë për Allahun, që nuk ka nevojë për falënderimin e atyre që e falënderojnë. Këtë e ka caktuar si një mjet për pranimin e madhështisë, zotësisë dhe samedijetit (vendstrehimit për ata që janë të nevojshëm) të Tij; një shkak për shtimin e mëshirës së Tij dhe një rrugë për kërkuesin e virtytit të Tij. Allahu, që është i denjë për falënderim, ua ka dhënë njerëzve aftësinë e të folurit, në mënyrë që të mund të shprehin vlerat e dhuntive. Njëra prej dhuntive të Tij është edhe gjendja në falënderim për dhuntitë e Tij. Vetë pranimi i Tij si dhënës i dhuntive llogaritet ndër fjalët më të mëdha falënderuese, sado të lartësuara qofshin fjalët tjera falënderuese.

 

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, se është i vetmi dhe se nuk ka shok. Kjo është një dëshmi që buron prej sinqeritetit të brendshëm dhe pastërtisë së zemrës. Ai është që krijon pa të meta, që jep formë dhe pamje. Emrat e Tij janë emrat më të bukur. Nuk ka të ngjashëm dhe asgjë nuk barazohet me Të, sepse, çdo gjë është sjellë në qenien përmes vullnetit të Tij dhe ajo që është sjellë në qenie nuk i përngjan Atij që e sjell në jetë.

 

Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Atë e lartësoi prej të gjithë njerëzve qysh në amshueshmëri,sepse, e dinte se ai është një person i zgjedhur dhe i pëlqyer nga mesi i të gjithë njerëzve. Atë e zgjodhi për të kumtuar urdhrat dhe ndalesat e Tij dhe e caktoi si të dërguar për të gjitha botët. Sytë nuk mund ta perceptojnë Allahun, mendimet nuk mund ta arrijnë të vërtetën e Tij dhe mendjet që i zbulojnë fshehtësitë nuk mund ta përshkruajnë dhe ta pasqyrojnë  Atë.

 

Nuk ka Zot tjetër përveç Tij. Ai ka fuqi për gjithçka dhe ai është sulltani dhe zotëruesi i çdo gjëje. Pranimin e Hz Muhamedit si të dërguar e barazoi me pranimin e Tij për Zot. Atij i dha një lartësi dhe nder, të cilin nuk mund ta arrijë asnjë krijesë. Zaten, ai ishte i denjë për këtë pozitë sipas cilësive dhe veçorive që ishin të përmbledhura tek ai. Allahu nuk ia fal këtë pozitë ndonjërit të thjeshtë dhe të paqëndrueshëm.

 

Për t ia lartësuar pozitën dhe për të lehtësuar njohjen e Ehli Bejtit të tij, urdhëroi që t'i dërgohet mëshirë dhe përshëndetje atij; mëshira dhe përshëndetja e pafundme qofshin për të dhe për familjen e tij. Mbas të Dërguarit, Allahu i lartësuar zgjodhi për vete një grup të njerëzve të veçantë; ata i lartësoi në saje të lartësimit të të Dërguarit dhe i caktoi si Imamët e udhëzimit për njerëzit.

 

Ata janë Imamët e përkryer, të pastër nga mëkatet, zotëruesit e virtytit, argumenti i Zotit për njerëzit, që i bëjnë thirrje Atij dhe që ndërmjetësojnë tek Ai me lejen e Tij. Ata nuk flasin asgjë tjetër përveç fjalës së Allahut; çdo gjë kryejnë sipas urdhrit të Tij, gjykojnë sipas gjykimit të Tij, e mëkëmbin Traditën e Tij, zbatojnë dispozitat e Tij dhe i kryejnë detyrimet e Tij.

 

Në këtë mënyrë ka bërë që të shkatërrohet ai që do të shkatërrohet mbas argumentit të qartë dhe të fitojë jetë ai që do të mbetet i gjallë mbas argumentit të qartë . Mëshira dhe përshëndetja e Allahut dhe e engjëjve të zgjedhur qofshin për familjen e zgjedhur të Muhamedit (s.a.a.).

 

Mbas një mendimi të tërthortë në lidhje me hadithet e shumta që kanë arritur në dorën time nga ana e të Dërguarit (s.a.a.), trashëgimtarit të tij (Hz Aliut ) dhe të familjes së tij kam ardhur në përfundim se numri i atyre haditheve që nuk kanë arritur në dorën time është shumë më i madh sesa i atyre që i kam në dorë. Mirëpo, kam vërejtur se edhe ky numër i vogël i haditheve që i kam në dorë, i përfshin të gjitha çështjet materiale e shpirtërore si dhe të gjitha çështjet e kësaj dhe të botës së ardhshme.

 

E vërteta është vetëm me ata; e vërteta mund të merret vetëm prej tyre dhe besnikëria mund të pritet vetëm prej tyre. Në të vërtetë, dijetarët e shumtë shiitë kanë përpiluar përmbledhje të shumta të haditheve në lidhje me gjykimet fetare për të lejuarën, të ndaluarën, detyrimet dhe rekomandimet dhe në këtë mënyrë ia kanë lehtësuar punën e atyre që kanë ardhur mbas tyre.

 

Inshalla do të fitojnë sevap për këtë punë. Unë kam parë edhe shumë hadithe tjera nga ana e Ehli Bejtit ku janë përmendur: urtësitë, këshillat, morali i bukur, devotshmëria, asketizmi, mosmashtrimi ndaj kësaj bote dhe të drejtuarit kah bota e ardhshme. Por, sipas njohurisë sime, deri më sot nuk janë përmbledhur në një vend të besueshëm dhe në sasi të mjaftueshme hadithet e tilla.

 

Për këtë arsye, mendova që do të ishte një ide e mirë nëse i përmbledh në një vend të vetëm hadithet që i përmbajnë fjalimet e gjata, testamentet, letrat e shkruara, urdhëresat dhe fjalët e shkurtra që i përmbajnë veçoritë e përmendura. Pastaj, këtyre ua shtova edhe hadithet që i përmbajnë shënimet interesante dhe kuptimet joshëse. Qëllimi ka qenë fitimi i kënaqësisë dhe i sevapit të Allahut, edukimi i shpirtit tim përmes përmbajtjes së këtij libri dhe arritja e shpëtimit si rezultat i shpresës së fitimit të sevapit dhe i frikës prej dënimit. Inshalla, këto këshilla më paralajmërojnë në momentet e pavëmendjes dhe më bëhen shkaqet e përkujtimit.

 

Ndoshta ndonjë besimtar i sinqertë do ta lexojë këtë libër, do të hasë në mësim që ka ditur dhe do të mësojë atë që nuk ka ditur. Në këtë mënyrë, do të bëhem ortak në sevapin e tij të mësimit dhe të veprimit. Ky libër përfshin traditën, edukatën, esencën e fesë (usuli din), pjesën praktike të fesë (furui din) dhe shpjegimin e dimensioneve të ndryshme të imanit. Në këtë libër i kam përmbledhur hadithet e transmetuara prej çdo masumi (personi i pastër prej mëkateve) në kaptina të veçanta. Në fund të librit, ia kam bashkëngjitur katër shtesa që janë në përputhje me përmbajtjen e librit. Shtesat e këtilla, të cilat u ngjasojnë këshillave janë:

 

Biseda e Allahut me Hz Musën (a.s.); biseda e Allahut me Hz Isën (a.s.); këshillat e Hz Isës (a.s.) dhe këshillat e Mufazzal ibn Ymerit (njërit prej sahabeve të Imam Sadikut a.s.). Duke iu shmangur asaj që vëllimi i librit të mos duket shumë i madh, nuk i kam përmendur burimet dhe zinxhirët e transmetimit të haditheve. Përndryshe, shumicën e këtyre haditheve e kam përvetësuar me rrugën e dëgjimit . Mbasi që hadithet përmbajnë urtësinë dhe sjelljen, ato vetvetiu e vërtetojnë vetveten dhe nuk ka nevojë për zinxhirin e tyre të transmetimit... Është vështirë përmbledhja e të gjitha haditheve që i përmbajnë veçoritë e lartpërmendura në një libër të vetëm, megjithatë, me aq sa i kam përmbledhur në këtë libër, besoj se do të mjaftojnë për një njeri që zotëron zemrën e zgjuar dhe mendjen e shëndoshë. Atëherë, o ju ithtarët e Ehli Bejtit!

 

Përmes mendjes së shëndoshë, që është një argument dhe një dhunti e dhënë nga e ana Allahut, mendoni në lidhje me urdhrat e Imamëve dhe vendosini në zemrat tuaja thirrjet dhe nxitjet e tyre! Mos u bëni sikur ata që i kanë dëgjuar argumentet e qarta dhe urtësitë e përkryera, që kanë kaluar pranë tyre në mënyrë të papërfillshme dhe që kanë lëvizur jashtë vijës së Ehli Bejtit! Mos u bëni të tillë që i lavdërojnë ata vetëm me gjuhë përmes fjalëve magjepse, që nuk marrin mësim nga urdhrat e tyre, që nuk u japin rëndësi atyre gjërave kah të cilat nxisin ata dhe që nuk ruhen prej atyre gjërave nga të cilat largojnë ata! Të tillëve u është plotësuar argumenti dhe ata do të jenë në humnerën e përhershme.

 

Ju, o miqtë e Ehli Bejtit, dëgjojini me veshin e zemrës urdhrat e masumëve, ndaj të cilëve Allahu ka bërë detyrim bindjen; veproni sipas tyre dhe qëndroni larg të gjitha llojeve të mospërfilljeve. Mundohuni t'i mësoni gjërat që nuk i dini dhe të veproni sipas gjërave që i dini, në mënyrë që të përputhen fjalët dhe veprat tuaja! Shpëtimi dhe jeta e vërtetë është e mundur vetëm përmes diturive të Ehli Bejtit. Allahu ka plotësuar argumentin e Tij përmes tyre, të vërtetën e ka vënë në pah përmes pozitës së Imametit dhe nuk ka lënë vend për arsyetim.

 

Ata i kanë qartësuar të gjitha rrugët e nënshtrimit ndaj Allahut dhe kanë treguar për të gjitha mjetet për përvetësimin e kënaqësisë së Tij dhe të shkuarjes në xhenet. Këtë e kanë bërë haptas, fshehtas dhe përmes aluzioneve. Në anën tjetër, kanë qartësuar dhe i kanë larguar njerëzit nga veprimet që llogariten si kundërshtim ndaj Allahut dhe që shpijnë në zemërimin dhe ndëshkimin e Tij, gjë që nuk do të mund të gjejnë asnjë arsyetim (për të arsyetuar veten) para Allahut.

 

Në këtë mënyrë, do të arrijnë lumturinë ata që arrijnë sukses në zbatimin e urdhrave të tyre dhe, do të kaplohen nga fatkeqësia ata që i kundërshtojnë urdhrat e tyre dhe u nënshtrohen të tjerëve, ngase, ata janë dorëza e sigurt dhe litari i fortë, për të cilët na ka urdhëruar Resulullahu (s.a.a.) që të mbahemi, dhe anija shpëtuese, duke na ka këshilluar që të mos qëndrojmë jashtë saj. Këta janë të ata, për të cilët Allahu na ka urdhëruar që të nënshtrohemi ndaj tyre:

 

O ju që besuat, nënshtrojuni Allahut, respektojeni të dërguarin dhe përfaqësuesit nga ana e juaj (Nisa, 59) dhe të drejtët, që Allahu na ka urdhëruar që të jemi bashkë me ata. O ju që besuat! Ta keni parasysh Allahun dhe të jeni me ata të drejtit (Tevbe, 119). Duhet t'u nënshtrohemi gjithë urdhrave dhe ndalesave të tyre, qofshin ato të mëdha apo të vogla, si dhe të pakta apo të shumta. Ai që u nënshtrohet urdhrave të vogla, do t'u nënshtrohet edhe urdhrave të mëdha; ai që nuk largohet prej mëkateve të vogla, do të fitojë kurajë edhe për mëkatet e mëdha.

 

Në një hadith thuhet: Ruajuni prej mëkateve të vogla. Mëkati i vogël është ai mëkat për të cilin njeriu thotë: Sikur të mos kisha ndonjë mëkat tjetër, përveç këtij dhe, në një hadith tjetër thotë: Mos e shikoni vogëlsinë e mëkatit; mendoni se kundër kujt jeni duke kryer atë mëkat. Ai është Allahu, i cili është i njoftuar për çdo gjë . Padyshim se Allahu do t i dhurojë sukses atij robi që zotëron nijetin e pastër dhe nënshtrimin e sinqertë, që e do atë çka do Ai dhe që urren atë çka urren Ai.

 

Atij do t i ndihmojë, do t ia hapë syrin e zemrës dhe për çdo ditë do t i shtohet virtyti i tij përderisa ta arrijë përkryerjen . Veprat janë sipas nijetit. Allahu na mundësoftë që t i punojmë veprat e sinqerta; na bëftë të qëndrueshëm në çështjen tonë të drejtë dhe na u bëftë ndihmësi ynë në këtë dhe në botën e ardhshme! Allahu na bëftë ndër ata që falënderojnë Atë, për hir të mirësive të Tij, që durojnë gjatë vështirësive dhe fatkeqësive, që kërkojnë falje kur të veprojnë keq dhe që e besojnë njësinë e Allahut dhe masumijetin (pagabueshmërinë) e Imamëve me një iman të sigurt dhe të patundshëm. Padyshim që, Ai është zotëruesi i mirësisë dhe i dhurimit.

 

Hasan b. Ali el-Harrani

 

 

  • Fjala hyrëse e autorit
  • HZ RESULULLAHU (S.A.A.)
  • IMAM ALIU (A.S.)
  • IMAM HASANI (A.S.)
  • IMAM HYSEJNI(A.S.)
  • IMAM ZEJNEL ABIDINI (A.S.)
  • IMAM MUHAMEDBAKIRI(A.S.)
  • IMAM XHAFER SADIKU (A.S.)
  • IMAM MUSA KADHIMI (A.S.)
  • IMAM ALI RIZA(A.S.)
  • IMAM MUHAMED TAKIU (A.S.)
  • IMAM ALI NAKIU (A.S.)
  • IMAM HASAN ASKERI (A.S.)
About | Cookie Policy | Sitemap
https://www.jetamuslimane.com/ është portali slamik i cila është e pavarur dhe nuk përfaqëson pikëpamjet e asnjë institucioni, organizate, shoqate apo fondacioni zyrtar © 2025
Log out | Edit
  • Home
    • Tefsiri i Kuranit Fisnik
    • Pastaj u orientova
    • Me ata qe jane te sinqerte
    • Al muraxh'at
    • Andaj, pyetini të diturit
    • Shiat, ndjekësit e vërtetë të sunetit
  • Kulme Të Fjalës
    • Fjalë për Botimin e Parë
    • Thënie
    • Letra
    • Ligjërata
  • Kontakt
    • Dijalog sunni-ši'ia
    • Ši'ije istinski sledbenici sunneta
    • Budite sa iskrenima
    • Pitajte one koji znaju
    • I onda sam krenuo Pravim Putem
  • FILLIMI I RRUGËS SË DREJTË
    • Parathënie
    • NË KËRKIM TË SË VËRTETËS
    • A E NJIHNI ALLAHUN
    • ALLAHU NA FTON PËR TEK AI
  • Scroll to top